Udhëheqës/e për Bashkëpunim Ndër-sektorial
Data e publikimit
23-01-2024
Data e perfundimit
06-05-2024
Lloji i orarit
Full Time
Kategoritë
Menaxhment
SHPALLJE PËR POZITË TË LIRË TË PUNËS
Pozita: Udhëheqës/e për Bashkëpunim Ndër-sektorial
Periudha e punësimit (Prej – Deri): Shkurt 2024 – 31 korrik 2026
Lokacioni: Prishtinë
Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), është organizatë udhëheqëse në përkrahjen e nismave qytetare në Kosovë që nga viti 1998. KCSF ofron fonde për shoqërinë civile nëpërmjet mekanizmave e sistemeve të avancuara të dhënies së granteve, ndërton kapacitete e dije për sektorin nëpërmjet Qendrës së KCSF-së, si dhe mbron dhe shtyn përpara hapësirën për qytetari dhe ambientin e veprimit të shoqërisë civile në Kosovë dhe më gjerë, nëpërmjet hulumtimit të politikave, avokimit dhe mobilizimit të sektorit. KCSF beson që një shoqëri civile e fuqishme me përfshirje të vërtetë të qytetarëve në punën e vet është element kyç për një qeverisje përfshirëse, transparente dhe llogaridhënëse, e që kontribuon në shndërrimin e Kosovës në një shoqëri demokratike me perspektivë të integrimit europian dhe me një situatë të avancuar socioekonomike.
Programi për angazhim qytetar
Programi për angazhim qytetar- Citizen Engagement Activity (CEA) është një program pesë vjeçar i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) i cili financohet nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Programi do të përkrahë aktivitete të shumta të cilat synojnë përmirësimin e lidhjes së shoqërisë civile me qytetarë, bashkëpunimin brenda sektorit dhe me sektorë të tjerë, si dhe diversifikimin e burimeve të shoqërisë civile përtej fondeve të donatorëve të huaj me qëllim të fuqizimit të pjesëmarrjes në vendimmarrje dhe rritjes së transparencës dhe llogaridhënies të institucioneve publike dhe të OShC-ve ndaj publikut.
Bazuar në përvojën e gjatë dhe ekspertizën e KCSF-së në zhvillimin e shoqërisë civile, duke përfshirë qasje të reja që kanë për qëllim ndërlidhjen e organizatave të shoqërisë civile me qytetarë dhe qytetare të Kosovës, dhe në bashkëpunim me organizata vendore dhe ndërkombëtare, CEA do të kontribuojë drejt arritjes së objektivave në vijim:
Objektiva 1: Fuqizimi i bashkëpunimit të shoqërisë civile me qytetarë dhe qytetare të Kosovës, nxitja e aktivizimit komunitar dhe rritja e kërkesës për llogaridhënie.
Objektiva 2: Krijimi i partneriteteve brenda dhe ndërmjet sektorëve dhe rritja e besimit mes OShC-ve, qytetarëve, sektorit privat dhe institucioneve publike.
Objektiva 3: OShC me njohuri e aftësi të shtuara që e shfrytëzojnë kuadrin e përmirësuar ligjor dhe zhvillojnë kulturën e përkrahjes së aktiviteteve jo-për-përfitim nga burimet vendore dhe të diasporës
Për pozitën
Udhëheqësi/ja për Bashkëpunim Ndër-sektorial udhëheqë aktivitetet e komponentës së dytë në mënyrë që të rrisë transparencën financiare të OJQ-ve, të përmirësojë bashkëpunimin e shoqërisë civile me sektorë tjerë, sidomos me sektorin privat dhe institucionet publike. Gjithashtu, Udhëheqësi/ja për Bashkëpunim Ndër-sektorial do të nxisë proaktivisht bashkëpunimin e shoqërisë civile me sektorë të tjerë, veçanërisht me sektorin privat, nëpërmjet bashkëpunimeve konkrete dhe forumeve të rregullta të diskutimit. Gjithashtu, komponenta e dytë do të ndihmojë mobilizimin e shoqërisë civile për të thelluar bashkëpunimin me institucione publike, veçanërisht duke rritur pjesëmarrjen e shoqërisë civile në zbatimin e Strategjisë qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile.
Udhëheqësi/ja për Bashkëpunim Ndër-sektorial do të koordinohet me partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë dhe do të mbikëqyrë zyrtarë të projektit për të arritur objektivat përkatëse. Gjithashtu, do të përcjellë mbledhjen e të dhënave për filantropi, përgatisë storie suksesi, me qëllim të promovimit të filantropisë, dhe koordinohet me pjesën tjetër të ekipit që të mbledhë të dhëna për monitorim dhe vlerësim.
Detyrat dhe përgjegjësitë
- Planifikon, zbaton dhe mbikëqyrë zbatimin e aktiviteteve në kuadër të komponentës së dytë, përfshirë përgatitjen e raporteve dhe promovimin e vazhdueshëm të aktiviteteve në kuadër të kësaj komponente;
- Komunikon në mënyrë të rregullt, koordinon punën dhe i mbikëqyrë partnerët dhe kontraktorët vendorë dhe ndërkombëtarë në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre;
- Bashkëpunon me Udhëheqësen e Programit, Zëvendës Udhëheqësen e Programit dhe Udhëheqësit/et e Komponentave tjera në zbatimin efektiv dhe ndërlidhjen e aktiviteteve të programit, përfshirë orientimin strategjik të programit;
- Identifikon dhe komunikon vazhdimisht me përfaqësues të biznesit dhe sektorëve tjerë që kanë potencial angazhimi e bashkëpunimi me nisma të komunitetit dhe shoqërinë civile në përgjithësi;
- Koncepton, koordinon dhe angazhohet për organizim të duhur të Forumeve për filantropi;
- Koordinon angazhimin e partnerëve që kanë për qëllim avancimin e bashkëpunimit në mes të shoqërisë civile dhe Qeverisë;
- Përcjellë mbledhjen e të dhënave për filantropi dhe përgatitë shkrime (storie suksesi, artikuj, bllogje, etj.) me qëllim të promovimit të filantropisë;
- Kontribuon në mbledhjen e rregullt të të dhënave relevante për sistemin e monitorimit dhe vlerësimit, me theks në aktivitetet e komponentës së dytë;
- Kontribuon në dizajnimin dhe zbatimin e skemave të granteve për ndërtim të partneritetit ndërsektorial;
- Në bashkëpunim me Zyrtaren për Komunikim me Publikun, identifikon dhe promovon nisma të suksesshme nga aktivitetet e komponentës së dytë;
- Bën përcjelljen e vazhdueshme të zhvillimeve ligjore dhe politike në fushat e ndërlidhura me komponentën e dytë.
Kualifikimet
- Së paku pesë vite përvojë në punën me programe në fushën e qeverisjes, me preferencë në zhvillimin e sektorit privat dhe/ose në mbështetje të shoqërisë civile;
- Së paku dy vite përvojë menaxheriale;
- Përvojë e dëshmuar e punës me partnerë dhe/ose hisedarë;
- Përvojë pune me organizata të shoqërisë civile, si dhe në bashkëpunim me sektorin e biznesit, drejtpërdrejtë ose nëpërmjet shoqatave të bizneseve;
- Aftësi të shkëlqyera organizative;
- Njohuri të parimeve dhe praktikës së funksionimit të politikë-bërjes në Kosovë;
- Njohuri të sistemeve për Monitorim dhe Vlerësim;
- Diplomë e studimeve bazike (Bachelor) me preferencë në Menaxhim të Biznesit, Ekonomi, Administratë Publike, Shkenca Sociale apo fusha tjera të ndërlidhura;
- Aftësi të shkëlqyeshme të shkrimit në gjuhën shqipe dhe angleze, ndërsa aftësitë e njëjta në gjuhën serbe do të konsiderohen përparësi.
Përderisa kualifikimet e mësipërme janë obligative, preferohet që kandidatët(et) të kenë edhe:
- Përvojë pune me projekte të USAID, apo donatorëve tjerë ndërkombëtarë;
- Njohuri të avancuara të sektorit privat në Kosovë;
- Leje të vozitjes, Kategoria B.
- Si të aplikohet
Dokumentet e nevojshme për aplikim:
- CV, me tre kontakte si referenca
- Letër motivimi
- Dëshmi të kualifikimeve
Dokumentet e lartshënuara duhet të dërgohen në e-mail adresën [email protected] deri më 28 janar 2024.
Të gjitha detajet tjera për aplikim i gjeni në vegzën: http://tinyurl.com/ALBCL2