Thirrje për Aplikim – Trajnim Bazik për Diversifikim dhe Ngritje të Fondeve
Data e publikimit
03-10-2023
Data e perfundimit
31-12-2023
Lloji i orarit
Full Time
Kategoritë
THIRRJE PËR APLIKIM NË TRAJNIMIN BAZIK PËR DIVERSIFIKIM DHE NGRITJE TË FONDEVE
Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) fton organizatat e shoqërisë civile, grupet joformale dhe aktivistët/et që të aplikojnë për trajnimin bazik një-ditor për diversifikim dhe ngritje të fondeve, i cili zhvillohet në kuadër të Programit për Angazhim Qytetar, një iniciativë pesë vjeçare që zbatohet në partneritet me misionin e USAID në Kosovë.
Qëllimi kryesor i këtij trajnimi është rritja e kapaciteteve të OShC-ve dhe të aktivistëve/eve të shoqërisë civile përmes informimit mbi modelet e ndryshme të ngritjes së fondeve, që do të siguronte një qëndrueshmëri më të madhe në punën e tyre, në komunitetet ku veprojnë.
Trajnimi bazik do të ofrohet nga grupi i trajnerëve dhe mentorëve profesionistë të trajnuar nga KCSF dhe Catalyst Balkans. I njëjti do të ofrojë informata kryesore mbi modelet e ndryshme të ngritjes së fondeve dhe do të jetë niveli i parë i ciklit të trajnimeve në qëndrueshmërinë financiare të OShC-ve. Si i tillë do të jetë obligativ në vazhdimin e ndjekjes së nivelit tjetër të trajnimit, atë të avancuar dhe mentorim të drejtpërdrejtë për ngritje të fondeve për organizatën. Trajnimi i avancuar do të trajtojë më thellësisht hartëzimin e burimeve nga komuniteti dhe punën konkrete në kornizën e mbledhjes së fondeve. Mentorimi do të përkrahë pjesëmarrësit e suksesshëm të këtyre trajnimeve në hartim të planeve e strategjive për diversifikim dhe ngritje të fondeve, si dhe/apo organizim të kampanjave të ndryshme për mbledhje të fondeve.
Trajnimi do të mbahet në tre qytete të Kosovës, si në vijim:
➢ Ferizaj, më 24 tetor 2023;
➢ Gjilan, më 25 tetor 2023;
➢ Gjakovë, më 26 tetor 2023
Të drejtë aplikimi kanë organizatat e shoqërisë civile, grupet joformale dhe aktivistët/et të cilat kanë interesim për të mësuar forma të reja të ngritjes së fondeve.
Secila OShC apo grup joformal duhet të propozojë 1 anëtar/e për të marrë pjesë në trajnim
bazuar në përgjegjësitë e tyre brenda organizatës/grupit.
Kriteret e aplikimit:
- Të jetë Organizatë e Shoqërisë Civile (OShC), e regjistruar në Kosovë, grup jo-formal apo aktivist/e i/e shoqërisë civile që vepron në Kosovë;
- Veprimtaria e OShC-së / grupit joformal / aktivistit/es të jetë kryesisht në nivel lokal dhe atë në komunitet;
- Të kenë të identifikuar si nevojë zhvillimin e kapaciteteve për forma alternative të ngritjes së fondeve për organizatën apo komunitetin në të cilin operojnë;
- Të kenë aktivitet në komunitet dhe/ose interesim për përfshirje të qytetarëve/eve në punën e organizatës / grupit joformal / aktivistit/es;
- Anëtari/ja e stafit të OShC që aplikon preferohet të jetë përgjegjës për ngritje të fondeve për organizatën.
Aplikantëve/aplikanteve të përzgjedhur/a do t’u kërkohet të jenë fizikisht të pranishëm në trajnim, me ç’rast do t’u mbulohen edhe shpenzimet e transportit.
KCSF inkurajon gjithëpërfshirje nga aspekti gjinor dhe përfaqësimit gjeografik nga të gjitha rajonet e Kosovës.
Aplikimi bëhet duke plotësuar formën elektronike në vegëzën në vijim: https://bit.ly/457BOA8
Afati i fundit për aplikim: 8 tetor 2023.
Për më shumë, shkarko thirrjen për aplikim në vegëzën: https://shorturl.at/ftCQ3