Termat e Referencës – Hulumtim për Aktivitete Pilot
Data e publikimit
04-10-2024
Data e perfundimit
20-12-2024
Kategoritë
Termat e Referencës
Numri i Referencës: 3.3.4.2/SiV
HULUMTIM PËR AKTIVITETE PILOT
I. PËRSHKRIMI I PUNËS
Në kuadër të projektit “Ndërtimi i komuniteteve miqësore për të moshuarit nëpërmjet veprimit ndër breza në Kosovë – AGE+” OJQ Syri i Vizionit (SiV) është duke kërkuar një kompani/konsulent/e për planifikimin e disa “Aktiviteteve pilot” të cilat kanë për qëllim organizimin e aktivitete të ndryshme mes brezave, fëmijëve dhe të moshuarve. Këto aktivitete do të realizohen nga SiV ndërsa kompania/konsulenti/ja paralelisht me aktivitetet pilot do të bëjë kërkime/hulumtim me synimin për të zgjeruar njohuritë e bazuara në prova për efektet e bashkëpunimit mes brezave.
Aktivitetet pilot dhe hulumtimi do të kryhen gjatë vitit 2024 dhe 2025, ndërsa raporti i hulumtimit do të përgatitet nga mesi i vitit 2025. Rezultatet e aktiviteteve të përmendura duhet të shërbejnë për planifikimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të aktiviteteve dhe programeve mes brezave në komunitet.
II. Hyrje
Situata demografike në Kosovë po ndryshon me shpejtësi, veçanërisht në dekadën e fundit. Duke marrë parasysh trendët e popullsisë dhe projeksionet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), të dhënat tregojnë se ka ±2% më shumë femra sesa meshkuj në të gjitha vitet për gjysmë dekade (2017-2022).
Statistikat e mëtejshme nga ASK-ja mbi projeksionet e popullsisë tregojnë se popullsia e Kosovës po lëviz në mënyrë të qëndrueshme drejt një shoqërie në plakje. Kjo situatë është për shkak të disa faktorëve, si rënia e lindjeve, rritja e jetëgjatësisë së moshës, rritja e moshës mesatare për martesë dhe migrimi i të rinjve. Ndryshime demografike janë vërejtur në evidencat statistikore dhe projeksionet demografike nga Agjencia. Të dhënat nga projeksionet e vitit 2022 (variant i mesëm) tregojnë një përqindje prej 19% të individëve që janë 55 vjeç e lart nga popullsia totale, nga të cilët 63% janë gra. Pothuajse 30 vjet më vonë, parashikimet e të dhënave për vitin 2050 vlerësojnë një përqindje prej 34% të njerëzve të moshës 55 vjeç e lart, me 65% gra. Sipas ASK-së, jetëgjatësia për meshkujt është mesatarisht 74,1 vjet, ndërsa për femrat është më e lartë, 76,7 vjet. Në grup moshat e ndryshme 55 vjeç e lart, projeksionet statistikore i paraqesin gratë e moshuara në një numër më të lartë krahasuar me burrat e moshuar, si për parashikimet e vitit 2022 ashtu edhe për vitin 2050.
Të moshuarit në Kosovë përballen me shumë sfida. Pensioni i ulët i eskpozon ndaj rrezikut nga varfëria. Të moshuarit janë të nën-përfaqësuar në mesin e përfituesve të mbrojtjes sociale të ofruar nga qendrat për punë sociale në nivel lokal, krahasuar me popullatën e përgjithshme. Ka mungesë të shërbimeve sociale për të moshuarit në nivel lokal. Institucionet dhe shërbimet lokale nuk janë të fokusuara në nevojat dhe dëshirat e të moshuarve, duke ofruar pak ose aspak shërbime dhe aktivitete sociale.
Burrat dhe gratë e moshuara janë ende të nën përfaqësuar, si për nga numri ashtu edhe për nga cilësia e pjesëmarrjes, në politikën e vendimmarrjen lokale, veçanërisht në çështjet që lidhen me të moshuarit.
IIII. Informata të përgjithshme
Syri i Vizionit në bashkëpunim me organizatën Volkshilfe Solidarität janë duke zbatuar programin “Ndërtimi i komuniteteve miqësore për të moshuarit nëpërmjet veprimit ndër breza në Kosovë – AGE+” i cili financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim. Programi ka për qëllim që të kontribuojë në forcimin e pjesëmarrjes së të moshuarve në dialog me qeveritë e tyre në nivel lokal, duke shprehur nevojat dhe përfshirjen në vendimmarrje për shërbimet ndaj të tyre, rritjen e kapaciteteve të komunave, sektorëve private dhe ofruesve të tjerë të shërbimeve për të ofruar shërbime për të moshuarit bazuar në rekomandimet e qytetarëve të moshuar si dhe rritjen e ofrimit të shërbimeve plotësuese si mbështetje për të moshuarit në nivel lokal.
Nëpërmjet planifikimit strategjik, ngritjes së kapaciteteve, përpjekjeve ndërsektoriale dhe përfshirjes së të moshuarve në zhvillim të politikave në nivel lokal, lokalitetet e synuara do të përmirësojnë iniciativat dhe shërbimet ekzistuese për të moshuarit duke marrë parasysh nevojat specifike të grave dhe burrave të moshuar. Do të zbatohen iniciativa dhe shërbime të reja të përshtatura për të moshuarit dhe shërbime të përgjegjshme transformuese gjinore. Gjithashtu do të sigurohet transferimi i kapaciteteve dhe njohurive për të përmbushur nevojat e komuniteteve gjithnjë e më të plakura në mënyrë të qëndrueshme. Për më tepër, aktivitetet e përshtatura për të moshuarit dhe aktivitetet mes brezave si dhe ndërgjegjësimi dhe aktivitetet e avokimit, do të kontribuojnë gjithashtu në luftën kundër moshimit – diskriminimit në bazë të moshës.
Aktivitetet e programit do të kenë efektin e reduktimit të stereotipave për të moshuarit, zakonisht të bazuara në qëndrimet negative për plakjen. Do të ndikojë gjithashtu në zvogëlimin e izolimit të të moshuarve dhe do të mendojë për një mënyrë për t’iu përgjigjur në mënyrë të duhur nevojave të tyre reale. Ndër të tjera, konsolidimi i komuniteteve miqësore me moshën, së bashku me solidaritetin ndërmjet brezave dhe ndjeshmërinë gjinore do të theksohet edhe nga gatishmëria e komunave të synuara për t’iu bashkuar Rrjetit Global të qyteteve miqësore për moshën e tretë.
IV. Objektiva e hulumtimit dhe aktivitetet pilot
Synimi i aktiviteteve pilot dhe hulumtimi i këtyre aktiviteteve është qe të zgjerojë njohuritë për përfitimet e bashkëpunimit mes brezave (fëmijëve dhe të moshuarave), gjë që kontribuon në përfshirjen sociale te të moshuarve dhe krijimin e një komuniteti të përshtatur për të gjithë.
Roli i kompanisë/konsulentit do të jetë që, në bashkëpunim me SiV:
Të bëjë një plan të aktiviteteve mes brezave që do të përfshijnë fëmijët (60) dhe të moshuar (40) dhe që do të zbatohen të paktën dy herë në muaj (një aktivitet në Pejë dhe një në Istog);
Të krijojë një metodologji/dizajn kërkimi për të vlerësuar efektet e aktiviteteve mes brezave në shëndetin mendor dhe mirëqenien e përgjithshme të grave dhe burrave të moshuar, si dhe të gjithë të tjerëve të përfshirë (fëmijët dhe prindërit e tyre);
Të kryejë kërkime në përputhje me metodologjinë/dizajnin e krijuar, së bashku me realizimin e aktiviteteve mes brezave;
Të përgatisë një raport mbi rezultatet e hulumtimit me rekomandime për zhvillimin e mëtejshëm të aktiviteteve dhe programeve, duke përfshirë rekomandime mbi nivelin e përhapjes/pranimit të bashkëpunimit ndërmjet brezave si dhe aktivitetet e solidaritetit brenda strukturave familjare.
V. REZULTATET E PRITSHME
- Hartimi i një plani aktivitetesh mes brezave, në bashkëpunim me SiV (deri në mes të nëntorit 2024);
- Përgatitja e planit të kërkimit (deri në fund të nëntorit 2024);
- Përzgjedhja e ekipit hulumtues (deri në fund të nëntorit 2024);
- Realizimi i aktiviteteve mes brezave (përafërsisht dhjetor 2024 – prill 2025);
- Realizimi i aktiviteteve kërkimore (afërsisht deri në fund të prillit 2025);
- Përgatitja e raportit për hulumtimin e kryer (deri në qershor 2025).
VI. SJELLJA ETIKE
Kompania/Konsulenti/a do të ndjekë dhe t’u përmbahet politikave dhe udhëzimeve të mëposhtme të organizatës partnere Volkshilfe Solidarität – VHSOL:
- Mbrojtja
- Gjinia, diversiteti dhe përfshirja
- Mbrojtja e fëmijëve
- Kundër korrupsionit
- Mbrojtja e mjedisit
- Mekanizmi i ankesës.
Këto dokumente dhe udhëzime sigurojnë mbrojtjen e njerëzve, përfshirë fëmijët dhe të rriturit në rrezik, nga dëmtimet që mund të lindin nga kontakti me stafin e VHSOL dhe SiV, partnerët ose kontraktuesit/institucionet e tyre.
V. Kualifikimi i nevojshëm:
- Diplomë universitare (kualifikimi master dhe edukimi profesional/joformal në fushat e kërkuara në kuadër të kësaj thirrje konsiderohen përparësi);
- Dokumentimi i përvojës së hulumtimeve/punës në fushat specifike sipas ToR apo të ngjashme.
- Shkathtësi të shkëlqyera analitike, udhëheqëse dhe shkathtësi në shkrim dhe komunikim;
- Shkathtësi të mira në të shkruar dhe të folur të gjuhës shqipe.
Angazhimi i kompanisë/konsulentit/es:
Kompania apo eksperti/ja do të angazhohet me anë të një kontrate për shërbim me Syri i Vizionit- nën koordinimin e Menaxherit të Financave dhe Administratës. Në këtë kontratë do të përcaktohen në mënyrë specifike pikat të cilat nuk janë të përfshira në këtë dokument. Angazhimi do të bëhet gjatë muajit nëntor 2024 dhe do zgjatë deri më qershor 2025.
Kushtet e pagesës:
Pagesa e kompanisë/konsulentit/es do të bëhet sipas kontratës përkatëse për kryerjen e shërbimeve. Pagesa do të realizohet përmes transaksionit bankar në valutën euro. Pagesa finale do të bëhet pas përfundimit me sukses te të gjitha aktiviteteve pilot mes brezave dhe hulumtimit dhe dorëzimit të raportit përfundimtar të përcaktuara me ToR.
Në bazë të ligjit të Kosovës, Syri i Vizionit është po ashtu i obliguar që të paguajë tatimin (taksa dhe pension) prej 10% të shumës bruto. Shpenzimet e aktiviteteve pilot mes brezave, do të mbulohen nga SiV. Kompania/konsulenti/ia duhet të paraqes shpenzimet e kostos se përgatitjes se metodologjisë, hulumtimit, pjesëmarrjes ne aktivitete mes brezave (nëse është e nevojshme) dhe shkrimit te raportit me rekomandime.
Dokumentet e kërkuara dhe procedura për aplikim:
- Kopja e diplomës universitare (ndonjë certifikatë e licencimit nga institucioni përgjegjës konsiderohet përparësi);
- Përshkrimi i metodologjisë së punës, duke përfshirë planifikimin e procesit të zhvillimit të aktiviteteve mes brezave, zhvillimin e hulumtimit me fëmijë, prindër te fëmijëve dhe te moshuarit si dhe shkrimi i raportit me rekomandime.
- Biografia – CV
- Propozimi financiar*
*Oferta financiare duhet të jetë e hollësishme për secilën punë që do të realizohet, duke përfshirë, zhvillimin e veglave të hulumtimit, pjesëmarrjen në aktivitet dhe dorëzimin e raportit.
Aplikacionet duhet të dorëzohen në e-mail adresën: [email protected] me titull: Aplikacioni për “Hulumtim për Aktivitetet Pilot”
Afati i fundit për dorëzimin e aplikacionit është: 16 tetor 2024, ora 16:00.
Vetëm kandidatët e suksesshëm do të kontaktohen!