Ekspert lokal për përpilimin dhe ligjërimin e modulit të trajnimit “Mbrojtja e fëmijëve në masmedia”, për gazetarë dhe profesionistë të medias
Data e publikimit
28-10-2024
Data e perfundimit
11-11-2024
Lloji i orarit
Full Time
Kategoritë
Gazetari, Shtyp & Media
TERMAT E REFERENCËS
Ekspert lokal për përpilimin dhe ligjërimin e modulit të trajnimit “Mbrojtja e fëmijëve në masmedia”, për gazetarë dhe profesionistë të medias
Projekti: “Drejtësia sociale për Romët, Ashkalit dhe Egjiptianët në Kosovë”, në partneritet me organizatën Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptasve (VoRAE) dhe Swiss Church Aid (HEKS/EPER)
Vendi: Prishtinë
Raporton tek: Menaxheri i projektit/Zyrtari për komunikim
Datë: Nëntor 2024 – Dhjetor 2025 (15 ditë pune)
I. Informacione të përgjithshme
Fondacioni Terre des hommes Lausannë në Kosovë (në tekstin e mëtejmë TdhK) është një organizatë joqeveritare që punon vazhdimisht në forcimin e sistemit kombëtar dhe lokal të mbrojtjes së fëmijëve, për të siguruar ofrim cilësor të shërbimeve duke përfshirë përfshirjen e grupeve të margjinalizuara shoqërore. Fushat e ekspertizës variojnë nga ndërhyrjet e drejtpërdrejta psiko-sociale me fëmijët e cenueshëm, familjen dhe komunitetet e tyre deri te fuqizimi i politikave dhe institucioneve lokale, rajonale, deri te forcimi i politikave dhe institucioneve në nivel kombëtar, me synimin e ofrimit të shërbimeve të ndjeshme ndaj fëmijëve përmes strukturave, politikave, standardeve të përshtatshme, buxhetimit dhe procedurave.
TdhK ka tre programe kryesore të ndërhyrjeve: 1) Mbrojtja e Fëmijëve 2) Migrimi dhe Antitrafikimi dhe 3) Drejtësia për të Mitur.
Në të njëjtën kohë, TdhK përmes programeve të saj mbështet institucionet në forcimin e sistemit të mbrojtjes së fëmijëve përmes:
- Angazhimi në ndërhyrjet politike dhe/ose dialogu me Ministritë, Komisionet Parlamentare, Institucionet Akademike dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm;
- Mbështetja e përpjekjeve për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Kodit të Drejtësisë për të Miturit, nëpërmjet hartimit të të gjitha akteve nënligjore dhe dokumenteve përkatëse që rrjedhin prej tyre;
- Mbështetja e kapaciteteve të strukturave brenda sistemit kombëtar të mbrojtjes së fëmijëve dhe
- Pilotimi i politikave të reja të shërbimit social me qëllim të nxjerrjes së mësimeve dhe/ose replikimit.
II. Informacione rreth projektit
Fondacioni Terre des hommes Lausannë në Kosovë është duke zbatuar projektin “Drejtësia sociale për Romët, Ashkalit dhe Egjiptianët në Kosovë”, në partneritet me organizatën Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptasve (VoRAE) dhe Swiss Church Aid (HEKS/EPER).
Qëllimi i përgjithshëm i konsorciumit dhe vizioni është një shoqëri multi etnike dhe multi kulturore në Kosovë, ku pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian trajtohen si të barabartë nga shteti dhe nga shoqëria, ku kanë qasje dhe mundësi të barabarta sikur të gjithë qytetarët e tjerë dhe ku romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët njohin të drejtat dhe detyrat e tyre.
Objektivi i shërbimit
Fëmijët janë një nga grupet më të cenueshme të shoqërisë dhe mund të jenë veçanërisht të ndjeshëm ndaj ekspozimit publik në media. Gazetarët, shpesh raportojnë për çështje të ndjeshme që përfshijnë fëmijët, si dhuna, abuzimi, trafikimi, ose raste që lidhen me mirëqenien dhe zhvillimin e tyre. Pa një udhëzim të duhur, dhe pa dashje përmes raportimeve të tyre ata mund të dëmtojnë fëmijët, duke i përdorur për qëllime të ndryshme, duke i ekspozuar ata ndaj stigmatizimit, përjashtimit shoqëror ose, në raste të rënda, abuzimit të mëtejshëm.
Andaj, zhvillimi i modulit dhe ligjërimi mbi “Mbrojtjen e fëmijëve në masmedia”, synon të rrisë njohuritë e gazetarëve dhe profesionistëve të medias mbi raportimin korrekt dhe të saktë për fëmijët dhe mbrojtjen e tyre në masmedia. Ky modul, është i domosdoshëm për të siguruar që gazetarët të jenë të pajisur me njohuritë dhe aftësitë e duhura për të mbrojtur privatësinë, dinjitetin dhe të drejtat e fëmijëve gjatë mbulimit mediatik.
Qëllimi i zhvillimit të këtij moduli dhe trajnimit, është t’i ndihmojë gazetarët të kuptojnë rëndësinë e qasjes etike në raportimin mbi fëmijët dhe të jenë të vetëdijshëm për ndikimin e raportimeve të tyre mbi jetën dhe mirëqenien e fëmijëve. T’u mësojë gazetarëve dhe profesionistëve të medias praktikat më të mira për mbrojtjen e privatësisë dhe ruajtjen e anonimitetit të fëmijëve, veçanërisht në raportimet për raste të ndjeshme, si ato të abuzimit ose dhunës. T’i ndihmojë gazetarët të njohin pasojat potenciale të raportimit të papërgjegjshëm dhe të zhvillojnë qasje më të kujdesshme dhe të përgjegjshme ndaj përmbajtjeve që përfshijnë fëmijët. T’i ndihmojë ata të zhvillojnë ndjeshmëri dhe një qasje të ekuilibruar, në përfaqësimin e fëmijëve, duke shmangur stereotipet dhe stigmatizimin.
PËRSHKRIMI I PUNËS:
Funksione thelbësore të konsulencës:
- Eksperti do të kryejë detyrat e tyre në lidhje me statutin e TdhK dhe Politikën e Mbrojtjes së Fëmijëve të TdhK.
- Eksperti do të marrë përsipër dhe do të kryejë detyrime në interes të TdhK në të gjitha rrethanat.
- Eksperti do të drejtojë aktivitetet dhe angazhimet e tyre pavarësisht nga bindjet politike, racore apo fetare
I. Përgjegjësitë:
Në bashkëpunim të ngushtë me TdhK dhe eksperti/ekspertja do të kenë përgjegjësitë në vijim:
- Të analizojë në mënyrë të detajuar dhe të plotë legjislacionin, literaturën, politikat dhe praktikat ekzistuese në lidhje me raportimin profesional për fëmijët;
- Të konsultohet me gazetarë, profesionistë të medias, avokatë të të drejtave të fëmijëve dhe palë të tjera për të kuptuar nevojat specifike dhe sfidat që ata përballen;
- Të përpilojë modulin e trajnimit “Mbrojtja e fëmijëve në masmedia”. Moduli të jetë i strukturuar mirë, i qartë dhe praktik;
- Të inkorporojë temat kyçe për raportimin korrekt për fëmijët në media, mbrojtjen e fëmijëve në masmedia, duke përfshirë privatësinë dhe shmangien e dëmtimit të tyre përmes raportimit, raportimin për fëmijët nga grupet dhe komunitet e cenueshme dhe çështje të tjera që përfshijnë raportimin për fëmijët;
- Të sigurohet që, moduli i trajnimit të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe ligjet vendore për të drejtat e fëmijëve dhe të promovojë gazetarinë etike në raportimet për fëmijët;
- Të zhvillojë skenarë dhe raste studimore reale që mund të përdoren gjatë trajnimit për t’u ofruar gazetarëve mundësi për të zbatuar teorinë në praktikë;
- Të zhvillojë materiale trajnimi, duke përfshirë agjendën, prezantime, studime të rasteve, skenarë praktikë, ushtrime ndërvepruese, mjete vlerësimi dhe udhëzues praktikë dhe dokumente mbështetëse për gazetarët dhe profesionistët e medias;
- Të ligjërojë dhe udhëheqë trajnimet me grupet e gazetarëve dhe profesionistëve të medias, duke përfshirë prezantimin e përmbajtjes, udhëzimin e pjesëmarrësve dhe lehtësimin e diskutimeve;
- Të hartojë mekanizma për monitorimin dhe vlerësimin e ndikimit të trajnimit mbi pjesëmarrësit, duke përfshirë pyetësorë për vlerësim dhe të përpilojë raport final mbi mbarëvajtjen e trajnimit;
- Mbajtjen e qasjes neutrale dhe profesionale gjatë gjithë procesit;
- Kryerjen e detyrave duke respektuar statutin e Tdh-së dhe Politikën e Tdh-së për mbrojtjen e fëmijëve.
II. Koha
Detyra është paraparë të kryhet brenda 15 ditëve të punës brenda periudhës nga muaji nëntor 2024 deri në dhjetor 2025
Datat vendosen pas një marrëveshjeje të ndërsjellë midis Ekspertit/Ekspertes dhe Terre des hommes në Kosovë.
III. Kriteret e Përzgjedhjes
- Diplomë e studimeve master në gazetari, shkenca sociale ose fusha të ngjajshme;
- Së paku 5 vite përvojë pune në hartimin e analizave, moduleve të trajnimeve, studimeve, dokumenteve përkatëse në fushën e medias dhe mbrojtjes së fëmijëve;
- Të ketë së paku 3 vite përvojë ne ligjërim dhe udhëheqje të trajnimeve profesionale;
- Certifikata ose trajnim të tjera në fushën e mbrojtjes së fëmijëve, etikën e medias, ose të drejtat e njeriut;
- Të ketë shkathtësi të shkëlqyeshme analitike dhe konceptuale;
- Të ketë shkathtësi të shkëlqyeshme në shkrim dhe komunikim;
- Të ketë njohuri të mira për standardet ndërkombëtare dhe legjislacionin vendor për të drejtat e fëmijëve dhe politikat për mbrojtjen e fëmijëve;
- Të ketë përvojë dhe punë të dëshmuar me institucione nga sektori shoqëror dhe organizata që kanë fokus përfshirjen e grupeve të cenueshme në politika dhe reforma sociale;
- Aftësi prezantuese efektive dhe fleksibilitet për t’iu përshtatur audiencave me prejardhje të ndryshme;
- Materiale të publikuara të dokumentuara.
- Aftësi të shkëlqyeshme në koordinim, komunikim dhe organizim;
Si të aplikoni?
Të gjithë të interesuarit që i përmbushin kriteret inkurajohen fuqishëm të aplikojnë dhe t’i dorëzojnë dokumentet e mëposhtme në [email protected]
- CV profesionale në gjuhën angleze;
- Një letër të motivimit;
- Metodologjinë e punës;
- Ofertën financiare neto;
Aplikimi për këtë shërbim do të jetë i hapur nga 28 tetor 2024 deri më 11 nëntor 2024 , në orën 17:00. Ju lutem të shkruani “Ekspert lokal për përpilimin dhe ligjërimin e modulit të trajnimit “Mbrojtja e fëmijëve në masmedia”, për gazetarë dhe profesionistë të medias” në subjekt të email-it.
Ju lutemi vini re se aplikacionet e pranuara pas afatit nuk do të merren parasysh.
Politika për Mbrojtjen e Fëmijëve:
Të zotohet për të respektuar Menaxhimin e Rrezikut të Tdh-së d.uke përfshirë: Kodin Global të Mirësjelljes, Zotimet për Mbrojtjen e Fëmijëve, Politikën Anti-Mashtrim/Korrupsion. Politikën e Sigurimit dhe Rregullorën e përgjithshme për mbrojtjen e të dhënave.
Për shkak të numrit të madh të aplikimeve, TdhK nuk mund t’i përgjigjet të gjithëve individualisht. Ju lutemi kini parasysh se vetëm kandidatët që hyjnë në listën e ngushtë do të kontaktohen